SINDIKALISTËT KËRKOJNË NDIHMË NGA SPEKTRI POLITIK PËR NISJEN E DIALOGUT ME QEVERINË

Përfaqësuesit e sindikatave të punëtorëve që janë në grevë nga 25 gushti, thanë se po bëjnë përpjekje që të nisin dialogun me Qeverinë e Kosovës, në mënyrë që të gjejnë zgjidhje për kërkesat e tyre. Gjatë së premtes, këshilli grevist i sindikatave është takuar me përfaqësues të partive opozitare në Kosovë, duke kërkuar mbështetje në kërkesat e sindikalistëve karshi qeverisë. Kryetari i Bashkimit të Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, pas takimit me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se dëshirojnë mbështjetje nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, qoftë edhe ata të Lëvizjes Vetëvendosje që është në pushtet. “Mësimdhënësit janë të pikëlluar sepse dita e dytë e vitit shkollor do të ishte me nxënës. Është mirë që të gjithë të bëhemi bashkë, të mos lejojmë që Kosova të kthehet në një shtet diktatorial”, tha Jashari. Ndërkaq, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi tha se qëndrimi i partisë së tyre është që “dialogu social nuk duhet të ketë alternativë”. “Nuk mund të sillet qeveria ndaj mësuesve, arsimtarëve e zyrtarëve publikë me këtë arrogancë të paparë ndonjëherë në historinë e vendit tonë”, tha Krasniqi. Në grevë, përveç punëtorëve të arsimit janë edhe shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës.

SHARE