DUKAJ: NËPUNËSIT CIVILË JANË HERONJTË E HESHTUR TË DEMOKRACISË DHE SHOQËRISË SONË

Ministri i Administratës Publike Marash Dukaj tha se reforma në administratën publike është një nga tre shtyllat kryesore të zgjerimit të BE-së dhe një nga detyrat më komplekse me të cilat përballet Mali i Zi në procesin e negociatave.

“Së bashku me të gjithë ekipin e Ministrisë, për të cilën jam krenar, kemi punuar me përkushtim për përmirësimin e të gjitha fushave nën juridiksionin tonë. E gjithë administrata shtetërore e Malit të Zi ka bërë një punë të madhe në muajt e kaluar dhe dëshmi për këtë është para së gjithash hapi i rëndësishëm që kemi bërë para disa ditësh në integrimet evropiane,” ka theksuar Dukaj.

Sipas tij, nëpunësit civilë janë heronjtë e heshtur të demokracisë dhe shoqërisë sonë.

“Ndonëse shpesh përballen me sfida dhe pritshmëri të mëdha, nëpunësit publikë, me angazhimin dhe përkushtimin, profesionalizmin dhe efikasitetin e tyre, forcojnë besimin e qytetarëve tek institucionet dhe kontribuojnë në ndërtimin e një shoqërie më të mirë dhe më të drejtë. Prandaj sonte ju japim mirënjohje dhe lavdatë – të shkëlqyer, më të mirët ndër ne, sepse punoni pa u lodhur në shërbim të interesit publik. Kemi obligim t’ju njohim, t’ju mbështesim dhe të tregojmë se vlerësojmë përkushtimin dhe profesionalizmin tuaj,” tha Dukaj.

Kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq theksoi se shteti i së drejtës ka qenë problem i shoqërisë malazeze prej vitesh, kështu që marrja e IBAR-it është gjithashtu një fitore e madhe, sepse më në fund puna e të gjithë zyrtarëve do të jetë e dukshme për shoqërinë dhe do të vlerësohet përmes mbylljes së një kapitulli nga agjenda jonë evropiane.

“Aty, më duhet të njoftoj se ju dhe ne na pret një punë e madhe, prandaj bëhuni gati, sepse është momenti për të dhënë maksimumin, për të përfituar nga shansi i madh malazez, për t’u bërë anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian deri në vitin 2028,” tha Spajiq.

Përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Mal të Zi, Ekaterina Panikllova, theksoi se për dy dekada, UNDP, si një partner i besueshëm i Malit të Zi, ka ofruar mbështetje të vazhdueshme për administratën publike të Malit të Zi, duke u fokusuar në forcimin e institucioneve, përmirësimin e transparencës, promovimin e ekonomisë së gjelbër, digjitalizim dhe forcim i të drejtave të qeverisjes dhe promovimin e barazisë gjinore.

Drejtori i Drejtorisë së Burimeve Njerëzore, Agron M. Camaj, theksoi se një administratë publike e mirëorganizuar dhe kompetente është parakusht për forcimin e institucioneve, nga të cilat varet suksesi i përgjithshëm i reformave ekonomike dhe sociale.

“Prandaj, në të gjitha proceset tona është shumë e rëndësishme të integrojmë parimin e barazisë gjinore, të tregojmë më shumë solidaritet dhe mirëkuptim reciprok, mbështetje dhe bashkëpunim dhe të vazhdojmë të inkurajojmë integrimin e pjesëtarëve të pakicave kombëtare në administratën publike”, tha Camaj.

SHARE