TRUMP: MARRËVESHJA ME IRANIN PRITET TË ARRIHET GJATË JAVËS SË ARDHSHME

Presidenti amerikan Donald Trump pohoi për ABC News se pret që një marrëveshje me Iranin për zgjatjen e armëpushimit dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, të arrihet brenda javës së ardhshme.

Presidenti amerikan komunikoi përmes telefonit me korrespondentin në Uashington të ABC News, Jonathan Karl, të cilit i tha se një ujdi e përfundimtare e paqes mund të jetë “edhe më e mirë sesa një fitore ushtarake”.

Draft-marrëveshja e ndërmjetësuar nga Pakistani, është përcjellë javët e fundit mes dy palëve, por negociatat nuk kanë prodhuar deri më tani asnjë rezultat konkret.

Një marrëveshje e përkohshme armëpushimi është në fuqi që nga prilli, megjithëse është sfiduar vazhdimisht nga sulmet sporadike.

“Nuk është gjë e lehtë për ta. Në fakt, nuk është e lehtë as nga pikëpamja jonë. Por, ne po bëjmë aq që duhet bërë”, tha Trump.

Ai pretendon se deri tani nuk është arritur dot një marrëveshje e plotë sepse sic thotë “ i duhet të sigurojë edhe disa pika të tjera”.

Ditët e fundit, Irani dhe Shtetet e Bashkuara kanë shkëmbyer sulme të cilat forcat amerikane i përshkruan si të ndërmarra për vetëmbrojtje, ndërsa Irani la të kuptohet se kishte goditur një bazë amerikane në Kuvajt.

Përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje vijnë në kohën kur mbyllja e Ngushticës së Hormuzit po pengon në mënyrë të konsiderueshme furnizimet globale me naftë dhe ka bërë që çmimet e energjisë të rriten.

SHARE