SHTËPIA E BARDHË NOMINON AMBASADORË PËR NË BOSNJE, SERBI DHE MAL TË ZI

Përmes një dekreti, Shtëpia e Bardhë ka nominuar më 1 qershor ambasadorë për në Bosnje e Hercegovinë, Serbi dhe Mal të Zi.

Këto nominime duhet të konfirmohen nga Senati amerikan.

Siç njoftoi Shtëpia e Bardhë, për Bosnje e Hercegovinën është nominuar Ronald Johnson nga shteti i Masaçusetsit për postin e ambasadorit të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të SHBA-së. Johnson është gjeneral brigade në pension në Korpusin e Marinsave të SHBA-së.

Për Serbinë është nominuar Michael Young nga shteti i Uhtas. Gjatë administratës së presidentit George H. W. Bush, Young ka punuar në Departamentin amerikan të Shtetit si ambasador për çështje të tregtisë dhe mjedisit, si dhe si zëvendësnënsekretar për çështje ekonomike dhe bujqësore dhe zëvendëskëshilltar ligjor.

Ndërsa për Malin e Zi është nominuar Peter McCoy nga Karolina e Jugut. McCoy, gjatë karrierës së tij juridike shërbeu si prokuror shtetëror për Distriktin e Karolinës së Jugut nga viti 2020 deri më 2021, ndërsa më herët kishte punuar si prokuror penal.

Më herët, SHBA-ja ka nominuar edhe ambasadorin e saj për Shqipërinë.

Ndërkaq sa i përket Kosovës, Uashingtoni ende nuk ka ndonjë njoftim, teksa Ambasada amerikane në Prishtinë aktualisht udhëhiqet nga e ngarkuara me punë, Anu Prattipati, pasi ambasadori paraprak, Jeff Hovenier, përfundoi mandatin e tij trevjeçar në fund të dhjetorit të vitit 2024.

SHARE