HOXHA: E ARDHMJA E BALLKANIT PERËNDIMOR ËSHTË NË BASHKIMIN EVROPIAN

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë në një diskutim të organizuar në Institutin Mbretëror për Marrëdhëniet Ndërkombëtare Egmont në Belgjikë, me temën “Zgjerimi i BE-së: Një këndvështrim shqiptar”.

Në këtë aktivitet morën pjesë ekspertë, diplomatë dhe përfaqësues të instituteve kërkimore, ku u diskutua mbi zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe rëndësinë e tij si një domosdoshmëri gjeopolitike dhe investim strategjik për të ardhmen e kontinentit.

Hoxha theksoi se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është e lidhur ngushtë me të ardhmen e vetë Evropës, duke nënvizuar se një rajon i qëndrueshëm, i sigurt dhe i integruar plotësisht në BE është thelbësor për forcimin e rolit gjeopolitik dhe strategjik të Bashkimit Evropian.

Ai vlerësoi procesin e anëtarësimit në BE si katalizatorin më të fuqishëm të transformimit të Shqipërisë, duke sjellë përparime në forcimin e shtetit të së drejtës, konsolidimin e institucioneve demokratike, modernizimin e administratës publike dhe zhvillimin ekonomik.

Gjithashtu, ministri theksoi rëndësinë e një procesi zgjerimi të besueshëm, të parashikueshëm dhe të bazuar në meritë, i cili shpërblen reformat konkrete dhe sjell përfitime të prekshme si për vendet kandidate, ashtu edhe për vetë Bashkimin Evropian.

Sipas tij, diskutime të tilla kontribuojnë në forcimin e dialogut strategjik, rritjen e mirëkuptimit të ndërsjellë dhe ndërtimin e konsensusit të nevojshëm për një Evropë më të fortë, më të bashkuar dhe më të sigurt.

SHARE