UKRAINA KËRKON NDIHMËN E OKB-së PËR EKSPORTET E DRITHËRAVE

Ukraina po punon me partnerët ndërkombëtarë për të krijuar një mision të mbështetur nga Kombet e Bashkuara, për të rikthyer eksportet e drithërave nga Deti i Zi, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Oleg Nikolenko. Rusia ka marrë nën kontroll disa prej porteve më të mëdha detare të Ukrainës dhe marina e saj tani kontrollon rrugët kryesore të transportit në Detin e Zi, duke bllokuar dërgesat ukrainase dhe duke thelluar krizën globale të ushqimit. “Ne u bëjmë thirrje shteteve, të cilat mund të preken më shumë nga kriza e ushqimit për shkak të agresionit rus kundër Ukrainës, të përdorin kontaktet e tyre me Moskën dhe ta detyrojnë atë që të heqë bllokadën nga portet ukrainase dhe t’i japë fund luftës”, tha Nikolenko përmes një postimi në Facebook. Dhjetëra anije me mallra janë bllokuar në portet ukrainase të cilat janë të rrethuara nga forcat ruse, duke ndërprerë eksportin e grurit dhe produkteve të tjera nga Rusia dhe Ukraina. Këto dy shtete eksportojnë pothuajse 30 për qind të eksporteve të grurit në botë.

SHARE