YELLEN: SHBA DO TË ARRIJNË KUOTËN MAKSIMALE TË BORXHIT MË 1 QERSHOR

Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen u tregua shumë e drejtpërdrejte në letrën e saj për udhëheqësit e Kongresit, në të cilën paralajmëron se vendi pritet të arrijnë kuotën maksimale të borxhit në 1 qershor.

Yellen kërkon nga krerët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, të “mbrojnë besimin e plotë dhe kredinë e SHBA-së duke vepruar sa më shpejt që të jetë e mundur” për të rritur tavanin e borxhit prej 31.4 trilionë dollarësh.

“Mos prisni deri në minutën e fundit! Nga ngërçet e kaluara kemi mësuar se pritja për të rritur tavanin e borxhit mund të shkaktojë dëm serioz në besimin e biznesit dhe konsumatorit, mund të rrisë kostot afatshkurtra të huamarrjes për taksapaguesit dhe të ndikojë negativisht në vlerësimin e kreditit të Shteteve të Bashkuara”, tha Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen.

Teksa pushtimi rus i Ukrainës vazhdon të mbetet një barrë për rritjen ekonomike të vendit, ekspertët thonë se debati mbi tavanin e borxhit përbën rrezikun më të madh për pozicionin financiar të SHBA-së.

Departamenti i Thesarit njoftoi se planifikon të rrisë nivelin e huamarrjes gjatë tremujorit prill-qershor të këtij viti, edhe pse qeveria federale është afër shkeljes së tavanit të borxhit.

Sesa e rënduar paraqitet gjendja, kjo u pa qartë nga pohimet e Yellen se Departamenti i Thesarit ka filluar të përdorë “masa të jashtëzakonshme” për të shmangur një situatë, në të cilën qeveria federale nuk do të ishte më në gjendje të përmbushte detyrimet e saj financiare.

Është kritike, theksoi ajo, që Kongresi të veprojë në kohën e duhur” për të rritur tavanin e borxhit përpara skadimit të afatit.

SHARE