NË PRAG TË VENDIMIT PËR NORMAT E INTERESIT, RRITET SËRISH INFLACIONI NË EUROPË

Pikërisht kur Bankës Qendrore Europiane po i kërkohet të ndërmarrë një tjetër rritje të normave të interesit, inflacioni në Europë u rrit sërish, duke rënduar barrën e familjeve e bizneseve të përballura sakaq me disa muaj të vështirë.

Agjencia e statistikave të BE-së, Eurostat, njoftoi se çmimet e konsumit në 20 vendet e bllokut që përdorin monedhën e përbashkët, euro, u rritën në prill me 7%, një shifër kjo pak më e lartë se shkalla e përvitshme prej 6.9 për qind e shënuar në mars.

Megjithatë, inflacioni i çmimeve të ushqimeve ne vetvete është zbutur paksa, duke rënë në një shkallë vjetore prej 13.6 për qind nga 15.5 për qind sa ishte në mars, për shkak se çmimet e energjisë pësuan një  rritje më modeste prej 2.5 për qind, sipas Associated Press.

nflacioni bazë, i cili nuk përfshin ushqimin dhe karburantet, është ngadalësuar paksa, por mbetet ende i lartë, prej 5.6 për qind, duke forcuar bindjen se Banka Qendrore Europiane duhet ta vazhdojë fushatën e saj për goditjen e këtij fenomeni përmes rritjes së normës së interesit.

Takimi i saj për këtë çështje është parashikuar të mbahet të enjten në Frankfurt, dhe mund të rezultojë me rritje prej një çereku apo gjysmë pike përqindjeje. Edhe pse modeste, ajo do të vinte në vazhdën e një serie rritjesh të shpejta të normës së interesit nga banka, çka duket se është gjithashtu pjesë e një strategjie të saj, pasi një ndryshim më i madh do të forconte shqetësimet se inflacioni ende nuk është në rrugën e rënies drejt 2 përqindëshit, që konsiderohet niveli më i mirë për ekonominë.

SHARE