NË TUZ HAPET FABRIKA PËR PËRPUNIMIN E FRUTAVE

Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq dhe kryetari i komunës së Tuzit Nik Gjeloshaj kanë hapur sot zyrtarisht fabrikën e re në Tuz.

Gjegjësisht, bëhet fjalë për fabrikën e përpunimit të fruta-perimeve “Frudo”, themelues i së cilës është kompania “Red Commerce”.

Pronari i fabrikës, Edo Mushoviq, ka deklaruar se është i nderuar që zhvillimi i qëndrueshëm i vendit tonë vazhdon.

“Gjëja më e bukur që mund të ndodhë është krijimi i vlerave të reja. Familja Mushoviq tregon dita-ditës se kjo vlerë e re qëndron diku shumë afër nesh dhe se ne nuk ishim të vetëdijshëm se si ta përdornim atë. Prodhimi nuk është vetëm një çështje e punësimit të atyre njerëzve që punojnë në fabrikë, por e shumë bizneseve që do të jenë të pajtueshme dhe do të jenë pjesë e zinxhirit të prodhimit,” tha Abazoviq, duke treguar rreth 500 nënkontraktorë vendas me të cilët fabrika do të bashkëpunojnë.

Ai tha se prodhimi i ushqimit të shëndetshëm, në këtë rast lëngjeve natyrale, është në përputhje me kërkesat e tregut modern, por edhe me synimin për ta quajtur Malin e Zi si një destinacion të gjelbër.

Ai ka falënderuar të gjithë në administratën publike dhe në veçanti komunën e Tuzit sepse, siç tha ai, kryetari i komunës Nik Gjeloshaj ishte i palodhur në kërkesat e tij për të ndihmuar komunën e tij.

“Jam krenar që Tuzi së shpejti do ta ketë bulevardin e përfunduar, që tashmë ka rrugë të reja dhe posaçërisht jam krenar që po merr impiante të reja që i ndihmojnë njerëzit të qëndrojnë këtu”, tha kryeministri i Malit të Zi.

Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, tha se hapja e kësaj fabrike nënkupton edhe vende të reja pune.

„Pas fabrikës së patatinave hapet një fabrikë tjetër. Qeveritë dhe politikanët largohen, por fabrikat dhe vendet e punës mbeten,“ theksoi Gjeloshaj.

Sipas tij, duhet të krijohen kushte për të vazhduar hapjen e fabrikave, si dhe integrimin e bujqësisë, në mënyrë që fermerët të kenë një marketing të suksesshëm dhe të sigurt të produkteve të tyre. Ai bëri të ditur se së shpejti do të hapet një fabrikë për prodhimin e vajit.

“Fabrika e përpunimit të pemëve dhe perimeve ka një sipërfaqe prej 2500 metra katrorë me ambiente për ruajtjen dhe pranimin e mallrave dhe ftohjës. Për ndërtimin e fabrikës kompania ka marrë grante nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave (IPARD) në vlerë mbi 630 mijë euro. Investimi total është 2.5 milionë euro”, njoftoi Qeveria.

Siç thonë ata, në fazën e parë, përveç 45 punëtorëve ekzistues që kompania tashmë i ka të punësuar, janë punësuar edhe 20 punëtorë shtesë, kryesisht nga Tuzi. Përveç përpunimit të pemëve dhe perimeve, kompania do të merret edhe me tharjen e pemëve dhe perimeve. Kapaciteti përpunues do të jetë 5000 ton pemë dhe perime.

SHARE