BE-ja KËRKON KUSHTËZIMIN E INTEGRIMIT TË SERBISË ME ZBATIMIN E MARRËVESHJEVE ME KOSOVËN

Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian do të propozojnë që urgjentisht në kornizën negociuese të Serbisë për anëtarësim në bllok të përfshihet edhe zbatimi i Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve me Kosovën dhe të gjitha obligimet nga marrëveshjet e kaluara në kuadër të dialogut.

Ky propozim pritet të bëhet në takimin e 12 dhjetorit në Bruksel të Këshillit për Çështje të Përgjithshme. Ky Këshill pritet të kërkojë nga Komisioni Evropian dhe Shërbimi i veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS) që të propozojë urgjentisht futjen e zbatimit të obligimeve nga dialogu për normalizim të raporteve në kapitullin 35 të kornizës negociuese për anëtarësimin e Serbisë në bllok.

Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje në draftin e konkluza të përgatitura për këtë takim, ku nga Serbia kërkohet që të zbatojë pa parakushte të gjitha obligimet nga marrëveshjes në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, që ndërmjetësohet nga BE-ja dhe mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.

“Këshilli kërkon nga Komisioni Evropian dhe përfaqësuesi i lartë [për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell] që urgjentisht të propozojnë para Këshillit, para fundit të janarit të vitit 2024, ndryshimin e kritereve në kapitullin 35 për anëtarësimin e Serbisë në BE”, thuhet në dokument.

“Këshilli përsërit se nuk ka justifikim për dhunën dhe dënon fuqishëm aktet e dhunës nga ana e protestuesve serbë kundër qytetarëve, trupave të KFOR-it, pjesëtarëve të rendit dhe mediave më 29 maj 2023, dhe sulmet e dhunshme ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator 2023 në veri të Kosovës”, thuhet në dokument.

Në pjesën ku flitet për obligimet e Serbisë për të ndërmarrë masa për të sjellë para drejtësisë kryesit e krimeve, thuhet se Këshilli “shpreh keqardhje që Serbia nuk ka ndërmarrë hapa të mjaftueshëm në këtë drejtim”.

Sipas draft-konkluzave, Këshilli kërkon nga Serbia që të angazhohet në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja “me vullnet të mirë dhe në frymën e kompromisit për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese me Kosovën për normalizimin e raporteve, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe me ligjet e BE-së, pa vonesa të tjera. Kjo marrëveshje duhet të adresojë të gjitha çështjet kyçe të hapura dhe në këtë mënyrë të kontribuojë në stabilitetin e rajonit”, thuhet në dokument.

Po ashtu, në konkluza pritet që blloku të kërkojë nga Serbia që të inkurajojë serbët në Kosovë që të kthehen në institucionet e Kosovës prej të cilave janë larguar nëntorin e vitit të kaluar për shkak të pakënaqësive me një vendim të Qeverisë së Kosovës që kishte të bënte me targat ilegale të makinave që lëshohen nga Serbia.

SHARE