KOSOVË, PROTESTOJNË PJESËTARËT E NJËSITIT SPECIAL TË POLICISË

Pjesëtarët e Njësitit Special Intervenues dhe Njësiti për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive të Policisë së Kosovës kanë zhvilluar një protestë para Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar ndryshim të kategorizimit të vendeve të punës dhe shtesa më të mëdha të rrezikshmërisë.

Rreth 50 pjesëtarë të këtyre njësiteve, të cilat janë njësitet më elitare të Policisë së Kosovës, morën pjesë në protestë me maska dhe uniforma policore.

Në fjalimin e njërit prej pjesëtarëve të këtyre njësiteve, ai tha se këto njësi janë të trajnuara dhe përgatitura ndërkombëtarisht në luftën kundër terrorizmit, lirimin e pengjeve, si dhe në rastet kur cenohet siguria kombëtare.

“Pakënaqësitë tona nuk datojnë nga dje, por ka më shumë se 10 vjet që kemi marrë premtime për benefite të cilat na takojnë, mirëpo deri më tani këto premtime asnjëherë nuk janë realizuar. Fillimisht arsyet e mospërmbushjes së kërkesave tona ka qenë mungesa e ligjit të pagave mirëpo edhe nëntë muaj pas miratimit të këtij ligji nuk janë marrë parasysh kërkesat tona, përkundrazi, ka pasur edhe ulje në kategorizimin e rrezikshmërisë, madje shtesa e veçantë të cilën e kemi gëzuar nga viti 2010 u ndalua e tëra”, theksoi ai.

Ai tha se këto njësite gjithmonë kanë dëshmuar profesionalizëm të lartë dhe kanë realizuar operacione të shumta policore, sidomos në veri të Kosovës, “duke mbrojtur vazhdimisht integritetin dhe sovranitetin shtetëror”.

“Prandaj mos luani me dinjitetin tonë, mos luani me ndjenjat e familjeve tona. Ne kemi dëshmuar veten në shumë raste në të kaluarën dhe së fundmi në neutralizimin e grupit terrorist më datë 24 shtator 2023. Prandaj, nuk zbrapsemi pavarësisht pengesave dhe vështirësive që na dalin përpara. Prandaj, kërkojmë nga ana juaj që propozimin e dhënë për shtesat e rrezikshmërisë ta rishikoni dhe t’i merrni parasysh kërkesat tona”, theksoi ai.

Tutje, pjesëtari i këtij njësiti tha se kërkesat e tyre janë që të bëhet kategorizimi si njësi të veçanta dhe përfshirja në listën e ekspertëve, rrezikshmëria të caktohet në 50 për qind të pagës bazë dhe të ketë shtesa për kushte specifike të punës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka prezantuar më 27 tetor shtesat e rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës të ndara në shtatë kategori, varësisht prej pozitave të zyrtarëve në Policinë e Kosovës.

Kurit në mbledhjen e Qeverisë njoftoi se “shtesat për njësitë elitare, për njësinë speciale intervenuese, për njësinë për ndërhyrje të shpejtë, dhe për njësinë për mbrojtje të afërt, janë nga 150 euro shtesë mbi pagën bazë”.

SHARE