Shqipëria vijon të renditet ndër vendet me pagat më të ulëta në rajon.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT për vitin 2025, paga mesatare bruto në vend arriti në 10.3 mijë euro në vit, ose rreth 860 euro në muaj, ekuivalente me 84.1 mijë lekë bruto.
Krahasimi me vendet e tjera të rajonit tregon se Shqipëria mbetet pas fqinjëve të saj për sa i përket nivelit të të ardhurave nga puna.
Serbia kryeson me një pagë mesatare vjetore prej 15.5 mijë eurosh, e ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina me rreth 15 mijë euro, Mali i Zi me 14.5 mijë euro dhe Maqedonia e Veriut me 13.2 mijë euro në vit.
Edhe pse Kosova paraqet nivele më të ulëta pagash, të dhënat më të fundit për këtë vend i përkasin vitit 2024.
Ekspertët e tregut të punës e lidhin diferencën e konsiderueshme të pagave me rritjen e emigracionit për motive ekonomike dhe punësimi.
Sipas të dhënave, që nga viti 2021, shtetet e Bashkimit Europian kanë lëshuar rreth 72 mijë leje qëndrimi për herë të parë për shtetas shqiptarë që kanë emigruar për punë. Në nivel europian, diferencat mbeten edhe më të theksuara.
Sipas revistës Monitor, Zvicra mban vendin e parë për pagën mesatare bruto, me mbi 107 mijë euro në vit. Pas saj renditen Islanda dhe Luksemburgu. Në fund të listës së vendeve të Bashkimit Europian qëndron Sllovakia, me një pagë mesatare prej 19.590 eurosh në vit, një nivel që mbetet pothuajse dy herë më i lartë se ai i Shqipërisë.









