SHQIPËRIA DHE KOSOVA THELLOJNË BASHKËPUNIMIN, HOXHA: PRIORITETI YNË MBETET KOSOVA

Gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Prishtinë, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, theksoi se Kosova vazhdon të mbetet prioritet absolut i politikës së jashtme shqiptare.

Deklarata u bë gjatë takimit me homologun e tij kosovar, Glauk Konjfuca, ku u diskutua për bashkëpunimin mes dy vendeve dhe zhvillimet rajonale.

“Ne në Tiranë nuk do ta themi kurrë mjaftueshëm: Kosova është prioritet absolut i politikës sonë të jashtme. Ky është një dimension i qartë dhe i pandryshueshëm i qeverisë dhe shtetit shqiptar. Ajo që ndodh në Kosovë ka rëndësi të drejtpërdrejtë për Shqipërinë, në një lidhje të ndërsjellë dhe të pandashme, sepse përparimi i Republikës së Kosovës dhe ai i Shqipërisë ecin krah për krah”, deklaroi Hoxha.

Gjatë konferencës së përbashkët për media, ministri shqiptar u ndal edhe te dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, duke e cilësuar atë si rrugën më të mirë drejt paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajon.

“Në këtë kuadër duhet parë edhe dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ne besojmë se dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian është rruga e duhur drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe konsolidimit të paqes afatgjatë mes dy vendeve fqinje”, tha Hoxha.

Një tjetër temë e rëndësishme e diskutimit ishte aspirata e Kosovës për anëtarësim në NATO. Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjfuca, theksoi se vendi i tij po forcon vazhdimisht kapacitetet mbrojtëse në përputhje me standardet e Aleancës.

“Kosova ka ndërtuar dhe po forcon kapacitetet e saj të mbrojtjes në përputhje me standardet e NATO-s dhe është e gatshme të bëhet pjesë e arkitekturës së sigurisë së kësaj aleance, jo vetëm për garantimin e paqes dhe stabilitetit në rajon, por edhe për mbështetjen e vlerave demokratike dhe euroatlantike kudo në botë”, u shpreh Konjfuca.

Nga ana e tij, Hoxha nënvizoi mbështetjen e vazhdueshme që Shqipëria i jep Kosovës në procesin e afrimit me strukturat euroatlantike.

“Diskutuam për thellimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe mbështetjen që Shqipëria jep dhe do të vazhdojë të japë në kuadër të NATO-s për afrimin institucional të Kosovës me strukturat euroatlantike. Prania e NATO-s në Kosovë dhe roli i KFOR-it mbeten faktorë kyç të stabilitetit, sepse pa një Kosovë të sigurt nuk mund të ketë as rajon dhe as Evropë të sigurt”, theksoi ai.

Kryediplomati shqiptar komentoi edhe nismën e partisë pro-serbe në Mal të Zi për të kërkuar tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Sipas Hoxhës, iniciativa të tilla nuk kontribuojnë në stabilitetin rajonal, por përkundrazi krijojnë tensione dhe pengojnë frymën e bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë në Ballkan.

SHARE