PUNËTORËT NË KOSOVË PROTESTOJNË PËR KUSHTE MË TË MIRA PUNE

Punëtorë e aktivistë e kanë shënuar Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve në Prishtinë me kërkesa për përmirësim të kushteve të punës.

Në marshin e organizuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës (SBASHK), pjesëmarrësit u nisën drejt ndërtesës së Qeverisë së Kosovës në Prishtinë me pankarta të shumta.

“Duam dialog për realizimin e kërkesave tona”, “Kërkojmë të ngrihet vlera e koeficientit” e “Qeveri, realizo kërkesat tona, parandalo veprimet tjera sindikale” ishin disa nga mesazhet të shfaqura nëpër pankarta.

Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jashari, paralajmëroi se nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh nga Qeveria e Kosovës, ata do të shqyrtojnë kryerjen e “veprimeve sindikale” si në të kaluarën kur punëtorët e arsimit kanë bërë greva.

“I drejtohem Qeverisë me lutjen që të veprojë e të mos na përsëritet viti 2022 kur filluam me protesta modeste e pastaj me protesta massive. E, shkaku i heshtjes së tyre, u detyruam të bëjmë veprime sindikale që asnjëherë nuk i kemi dashur”, tha Jashari.

Gjatë një mbledhjeje të Qeverisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte thënë se koeficienti i pagave për vitin 2024 do të jetë 110 euro.

Vitin e kaluar, vlera e koeficientit ishte 105 euro, por aktivistë të shumtë kanë kërkuar që kjo vlerë të rritet më shumë për shkak të rritjes së çmimeve.

Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, e cila shënohet më 1 maj, shfrytëzohet në shumë vende si një ditë për të kërkuar të drejtat e punëtorëve, për të transmetuar ankesat e përgjithshme ekonomike ose kërkesat politike.

Në Kosovë, kjo ditë u shënua edhe me një tjetër protestë të mbajtur nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, që organizon çdo vit protestë më 1 maj.

SHARE