Parlamenti i Finlandës më 1 mars mbështeti me shumicë dërmuese anëtarësimin e shtetit në NATO, tha kryetari i Parlamentit.
Miratimi i traktateve të NATO-s dhe anëtarësimit të Finlandës morën 184 vota për, shtatë kundër dhe një abstenim në Parlamentin prej 200 ulësesh.
Në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës që nisi një vit më parë, majin e vitit të kaluar Finlanda aplikoi për anëtarësim në NATO, pasi që deri më tani është varur vetëm nga forcat e saj të armatosura për të mbrojtur kufirin prej 1.300 kilometrash që ndan me Rusinë.
Pranimi i një shteti të ri në NATO duhet të miratohet nga të gjithë anëtarët ekzistues të aleancës ushtarake perëndimore.
Finlanda ende nuk ka marrë mbështetjen për anëtarësim nga Turqia dhe Hungaria. Me miratimin e dokumenteve kryesore të NATO-s, Finlanda është një hap para drejt anëtarësimit krahasuar me Suedinë, që po ashtu ka aplikuar për anëtarësim, por që Turqia ka shprehur kundërshti.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se shteti i tij është i gatshëm ta pranojë Finlandën në NATO, por ka akuzuar Suedinë se strehon persona që Ankaraja i konsideron si anëtarë të grupeve terroriste.
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, javën e kaluar tha se ai synon që dy shtetet nordike të bëhen anëtare të aleancës para se të mbahet samiti i NATO-s në korrik.