HOXHAJ KËRKON TË MERRET ME PRIORITET  NDËRTIMI I RRUGËS DEÇAN-PLAVË

Zëvendëskryeministri i Kosovës Enver Hoxhaj, pas vizitës së tij në Mal të Zi,  në mbledhjen e sotme të qeverisë së Kosovës, ka iniciuar diskutim në lidhje me projektin e rrugës që lidhë Deçanin me Plavën në Mal të Zi, dhe kërkoi që të merret me prioritet përfundimi i kësaj rrugë.

“Gjatë takimeve që kam zhvilluar gjatë vizitës në Mal të Zi me shqiptarët atje, në koordinim me kryeministrin Ramush Haradinaj, kam marrë kërkesa të shumta për përfundimin e rrugës që lidhë Deçanin me Plavën, e cila është shumë e rëndësishme për lëvizjen dhe lidhjet mes qytetarëve të Kosovës dhe të Malit të Zi.

Dua t’ju kërkoj që kjo të merret me prioritet duke pasur parasysh rëndësinë e madhe që ka për shqiptarët”, ka thënë Hoxhaj në mbledhjen e Qeverisë. Siç raporton “Telegrafi”, Gjatë diskutimit, Hoxhaj ka kërkuar edhe nga Ministri i Infrastrukturës që ta ketë parasysh përfundimin e këtij projekti, duke theksuar rëndësinë që ka për lëvizjen e qytetarëve të Kosovës dhe Malit të Zi, si dhe për lidhjen në mes të të dy vendeve.

Ministri i Infrastrukturës së Kosovës Palë Lekaj, është zotuar se do ta marrin këtë çështje me prioritet dhe se punimet do të rinisin shumë shpejtë.

Ndërtimi i kësaj rrugë më intensivisht filloi më 25 shtator 2014,  kur edhe u bë prerja e shiritit të ndërtimit të rrugës Deçan – Plavë, nga Kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi, ish Kryetari i Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj dhe Kryetari aktual i Komunës së Plavës, Orhan Shahmanoviq.

SHARE