TRUMP DËNON DHUNËN NË CAPITOL/ TRANZICIONI DO TË JETË I QETË!

Presidenti Donald Trump e dënoi dhunën e mbështetësve të tij që sulmuan Kapitolin të mërkurën dhe pranoi humbjen ndaj rivalit të tij demokrat, Presidentit të zgjedhur Joe Biden. Në një video-mesazh të ri, Presidenti Trump tha se tani që Kongresi ka certifikuar rezultatet, “administrata e re do të inaugurohet më 20 janar” dhe “fokusi i tij kthehet në sigurimin e një tranzicioni të qetë dhe rregullt të pushtetit”.Në video-mesazhin e incizuar, Trump u shpreh se është koha “për të vazhduar me punët e Amerikës” dhe se momenti “bën thirrje për shërim dhe pajtim”. “Qytetarëve të këtij vendi u them se fakti që shërbeva si presidenti juaj,  ka qenë një nder në jetën time. Të gjithë mbështetësve të mi të mrekullueshëm u them se e di që jeni të zhgënjyer, por dua gjithashtu që ta dini se udhëtimi ynë i jashtëzakonshëm sapo ka nisur. Demonstruesit që hynë në Capitol përdhosën selinë e demokracisë amerikane. Kush angazhohet në akte dhune dhe shkatërrimi, nuk përfaqëson vendin tonë. Dhe ata që shkelen ligjin, do të paguajnë”, tha ai. Dhuna e mbështetësve të Trumpit në Kongres ka marrë pesë jetë njerëzish, përfshirë një polic, dhe ka shkaktuar shkatërrime dhe vandalizma brenda ndërtesës. Trump nuk e pranoi rolin e tij në kaos, edhe pse shumë ligjvënës, përfshirë disa nga Partia e tij Republikane, e akuzuan për nxitje të dhunës. Më herët, presidenti i zgjedhur, Joe Biden, teksa i përshkroi protestat e 6 janarit në Kongres si një nga ditët “më të errëta” në historinë amerikane, fajësoi dhe Trumpin vetë duke thënë se “ai ndërmori një sulm ndaj institucioneve të demokracisë sonë që prej fillimit”. Biden po ashtu ka kritikuar autoritetet se u janë përgjigjur më butë protestuesve pro-Trumpit sesa protestuesve kundër racizmit, të cilët vitin e kaluar, gjatë protestave në Uashington, u shpërndan me forcë nga policia.

SHARE