ZGJEDHJET NË KOSOVË MBAHEN MË 14 SHKURT

Presidentja në detyrë e Kosovës Vjosa Osmani vendosi që zgjedhjet parlamentare të parakohshme të mbahen në 14 shkurt. Ushtruesja e detyrës së Presidentes Vjosa Osmani ka shpërndarë Legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovës dhe i cakton zgjedhjet parlamentare të parakohshme për 14 shkurt. Në njoftimin e Presidencës thuhet se “duke u bazuar në përgjegjësitë kushtetuese dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese Nr. KO-95/20, si dhe pas diskutimit me partitë parlamentare dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, u.d. Presidentja, dr.Vjosa Osmani, ka marrë vendim të shpallë zgjedhjet dhe të caktojë 14 shkurtin 2021 datë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të parakohshme”. Çështja lidhur me kushtetushmërinë e votimit të Qeverisë Hoti u dërgua në Kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje, për shkak se për këtë qeveri më 3 qershor kishte votuar Etem Arifi, i dënuar me vendim të formës së prerë prej më shumë se një vit burgim për veprën penale “mashtrim me subvencione”. Vota e tij ishte vendimtare për formimin e Qeverisë të drejtuar nga Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

SHARE