KONGRESI KONFIRMON JOE BIDEN SI PRESIDENT TË SHBA-së

Kongresi amerikan ka certifikuar Joe Biden dhe Kamala Harris si presidentin dhe nënpresidenten e ardhshme të SHBA-së. Ligjvënësit konfirmuan se Biden fitoi 306 vota të Kolegjit Zgjedhor, krahasuar me 232 vota për presidentin aktual, Donald Trump. Votat elektorale u miratuan pasi Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve refuzuan kundërshtimet e republikanëve ndaj votave në shtetet e Pensilvanisë dhe Arizonës. Certifikimi i votave të Kolegjit Elektoral nga ana e Kongresit amerikan është hapi i fundit në procesin zgjedhor, para inagurimit të presidentin e zgjedhur, Joe Biden dhe nënpresidentes së zgjedhur, Kamala Harris më 20 janar. Presidenti aktual, Donald Trump tha se “do të ketë një tranzicion të rregullt” të pushtetit. “Edhe pse nuk jam plotësisht dakord me rezultatin e zgjedhjeve, megjithatë do të ketë një tranzicion të rregullt në 20 janar”, tha Trump në një deklaratë të postuar në Twitter nga zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Dan Scavino. Presidenti Trump e ka kundërshtuar fitoren e demokratit Biden në zgjedhjet e 3 nëntorit, 2020. Por, një sërë padish janë hedhur poshtë nga gjykatat e shteteve dhe ajo Supreme. Trump ka bërë akuza të pabazuara për mashtrime zgjedhore. Ai u tha mbështetësve të tij të bënin presion tek zyrtarët e tyre të zgjedhur për të refuzuar rezultatet, duke i nxitur ata “të luftonin”.

SHARE