Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës dhe anëtari i kryesisë së Kuvendit nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti ka thënë se pret që të premten më 9 mars të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës, në të cilën në rend të ditës do të jetë ratifikimi i marrëveshjes për ndarjen e kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi.
Haliti ka thënë se Kuvendi nuk duhet dhe nuk mund të mblidhet pa u siguruar fillimisht 80 votat, e nevojshme për kalimin e demarkacionit.
Ai tha se do të ishte një dëm i madh nëse nuk sigurohen mjaft vota për kalimin e demarkacionit “Unë jam kundër që të mblidhemi që të votojmë kundër dhe të provojmë fatin, nëse kemi ose jo numrat, sepse në rast të votimit kundër, dëmi do ishte shumë më i madh për Kosovën”, deklaroi Haliti.
Ndërsa nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida D erguti, ka thënë se ende nuk është caktuar seanca e Kryesisë së Kuvendit, në të cilën do të sillej vendimi për caktimin e vazhdimit të seancës së jashtëzakonshme për demarkacion.
Sipas Rregullores së Punës së Kuvendit të Kosovës, nëse projektligji nuk merr numër të mjaftueshëm votash për miratim, atëherë ai mund të vihet në rendin e ditës për dhjetë ditë.