Forca e Re Demokratike e konsideron pëlqimin e Drejtorisë për Pronën e Malit të Zi për revitalizimin e ullishtës së Valdanosit nga ana e pronarëve (sygjeruar në elaboratin e Institutit Bioteknik të Universitetit të Malit të Zi të vitit 2017), një hap përpara në zgjidhjen e kësaj çështjeje.
Siç theksojnë në kumtesë, kjo kthesë e Qeverisë së Malit të Zi do të plotësohet në tërësi vetëm kur Parlamenti të miratojë ligjin për kthim ose kur Drejtoria për Patundshmëri të përfundojë në mënyrë të ligjshme proceset e kthimit të plotë të pronës të nisura dy dekada më parë ashtu që pronarët të mos mbesin bahçevanë në tokat e veta të shtetëzuara, por të bëhen pronarë legjitimë të tokës së paraardhësve të vet e cila iu është shtetëzuar pa bazë ligjore.
“Me kthimin e plotë do të kurorëzohet veprimtaria që Forca e Re Demokratike ka ndërmarrë që nga themelimi, kur iu është bërë ballë orekseve të individëve dhe të kompanive si CubusLux, kur janë miratuar planet hapësinore që ndalojnë ndërtimin në këtë zonë, kur është përgatitur ligji special për kthim, kur janë angazhuar inxhinierët e Institutit Bioteknik, kur janë bërë ekspertizat ligjore për kthimin përfundimtar, etj.,” thuhet në kumtesën e Forcës së Re Demokratike.