GENT CAKAJ JEP DORËHEQJE NGA POZITA E MINISTRIT NË DETYRË NË QEVERINË RAMA

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ka paraqitur ditën e sotme dorëheqjen e parevokueshme te kryeministri Edi Rama. Lajmin për këtë vendim e bëri të ditur vetë kryediplomati Cakaj, nëpërmjet një reagimi në Facebook, ku pohoi se pas përfundimit me shumë sukses të një sërë angazhimesh që lidhen me OSBE-në, BE-në, NATO-n dhe ngritjen e faktorit shqiptar në Ballkanin Perëndimor, si dhe duke mos pasur asnjë synim për t’u angazhuar në kushtet e pragfushatës, në të cilat ndodhet Shqipëria, Cakaj e konsideron të përfunduar kapitullin e shërbimit të tij në krye të diplomacisë shqiptare. Cakaj gjithashtu në reagimin e tij, falënderoi dhe u shprehu mirënjohjen kryeministrit Rama, si dhe stafit të MEPJ për “mbështetjen e vazhdueshme në këtë rrugëtim të përbashkët, për të ndërtuar një sistem diplomatik të denjë për ambiciet e Shqipërisë evropiane dhe të pakompromis në mbrojtje të interesit qytetar e kombëtar”. “Nënvizoj, mes tjerash, se angazhimi i Shqipërisë për të thelluar bashkëpunimin e forcuar marrëdhënien me shqiptarët në rajon duhet të vazhdojë me çdo kusht apo çmim”, përmbylli ministri në detyrë fjalën e tij.

SHARE