PREJ 24 DHJETORIT SHTOHEN MASAT KUFIZUESE NË SHQIPËRI

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, njoftoi se nga data 24 dhjetor, lëvizja nuk do të lejohet duke nisur nga ora 20:30. “Kemi vendosur kufizimin e lëvizjes nga ora 20:30 deri në 06:00, nga 24 dhjetori deri në 4 janar. Përjashtim bëjnë ata që duhet të lëvizin për arsye shëndetësore apo pune”, tha ministrja. “Edhe aktiviteti i bareve dhe restoranteve do të kufizohet në këtë fashë orare”, shtoi Manastirliu. Manastirliu njoftoi gjithashtu se Komitetit Teknik i Ekspertëve ka vendosur për kufizimin e aktiviteteve të bareve, restoranteve, fast food-eve, lokaleve që ofrojnë shërbim për klientët nga ora 20:30 deri në orën 06:00 nga data 24 dhjetor deri me 4 janar duke përjashtuar shërbimin në banesë. Nga data 5 janar kufizimi i aktiviteteve të bareve dhe restoranteve rikthehet në orën 22:00. Manastirliu apeloi qytetarët që të shmangin udhëtimet jothelbësore dhe aktivitete jothelbësore. “Të gjitha masat e marra do të rivlerësohen mënënyrë dinamike. Nëse do të jetë e nevojshme do të merren masa të reja apo do rivlerësohen ato ekzistuese. E kuptojmë dëshirën e secilit për të qenë me njerëzit e dashur në këto festa. E kuptojmë fare mirë që në Krishtlindje dhe natën e Vitit të Ri duam të jemi të gjithë së bashku në një atmosferë normaliteti festive. Por ky është një vit i pazakontë dhe po mbyllet si i tillë. Një vit që ka kërkuar sakrifica në emër të shëndetit. Në listën e dëshirave shëndeti qëndron në kye. Pandemia nuk parandalohet në spitale” tha Manastirliu.

SHARE