Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka zhvilluar një vizitë në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), ku mes dy vendeve janë nënshkruar dy marrëveshje bashkëpunimi. Marrëveshjet në fjalë janë për financimin e ndërtimit të 2.000 apartamenteve të reja në Durrës dhe për bashkëpunimin ekonomik ndërqeveritar, që përfshin një program investimesh të kompanive të Emirateve të Bashkuara Arabe në Shqipëri. Kryeministri Rama ka konfirmuar në rrjetet sociale nënshkrimin e marrëveshjeve në fjalë, ndërkohë është takuar edhe me ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheik Abdullah Bin Zayed Al Nahyan. Lidhur më vizitën e tij në EBA, Rama thekson se “Rastësia e desh që sot në 1-vjetorin e tragjedisë së tërmetit të jem këtu në Abu Dabi, Emiratet e Bashkuara, për të firmosur marrëveshjen e financimit dhe ndërtimit të 2.000 apartamenteve të reja në Durrës”. “Ishte mirësia vëllazërore e një miku shumë të çmuar, Princit të Kurorës, Mohammed bin Zayed, që në ato ditë aq të zymta më hapi derën e shtëpisë së tij dhe ma dëgjoi lutjen për ndihmë, e cila bëri të mundur manifestimin e jashtëzakonshëm dhe të paharrueshëm të solidaritetit nga ana e Emirateve të Bashkuara për Shqipërinë, në Konferencën e Brukselit”, ka theksuar Rama.