KRASNIQI: NUK NDIHEM FAJTOR E AS PËRGJEGJËS PËR ASNJË PIKË TË AKTAKUZËS

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi u deklarua i pafajshëm për aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit që Dhomat e Specializuara në Hagë kanë ngritur ndaj tij. Pala mbrojtëse tha se shumë shpejt do të bëjë kërkesë për lirimin me kusht të Krasniqit. “Unë nuk ndihem fajtor e as përgjegjës për asnjë pikë që thuhet në aktakuzë dhe për asnjë gjë tjetër që thuhet në aktakuzë”, tha Krasniqi gjatë paraqitjes së parë para Dhomave të Specializuara, ku u pyet nëse deklarohet i pafajshëm apo fajtor për krimet që rëndojnë ndaj tij. Krasniqi, para se të deklarohej për aktakuzën mbajti një fjalim para gjykatës, ku tha se i është bërë një padrejtësi e madhe. “Cilësimi i prokurorit të Dhomave të Specializuara se ne qenkemi ndërmarrje kriminale e përbashkët, për mua, shokët e mi, familjen time që luftuam gjatë, por edhe për kombin tonë nuk ka diçka më fyese pasi ne një kohë të gjatë në rrethana tepër të vështira jetë a vdekje, u vumë në shërbim të lirisë e të shtetndërtimit të cilat i arritëm në bashkëveprim me Shtetet e Bashkuara, me vendet e Bashkimit Evropian, me NATO-n, me OKB-në dhe të gjithë së bashku ishim dhe jemi ndërmarrje e përbashkët çlirimtare dhe shtetformuese”, tha Krasniqi gjatë një fjalimi para Gjykatës në Hagë, ku u pa se ishte i emocionuar. Ai shtoi se “ndërmarrje e përbashkët kriminale” është “koka e Beogradit dhe mbështetësit e Beogradit”. Para Dhomave të Specializuara, sot është paraqitur edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaç, i cili u deklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit Më 10 nëntor, pranë këtyre dhomave do të paraqitet edhe ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ndërsa, më 11 nëntor, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimi. 

SHARE