VARHELI: DUHET T’I BINDIM SHTETET PËR LIBERALIZIMIN E VIZAVE PËR KOSOVËN

Komisionari i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, tha sot në Prishtinë se duhet bindur shtetet anëtare të BE-së për t’i liberalizuar vizat me Kosovën. Ai i bëri këto komente në një seancë solemne në Kuvendin e Kosovës. Varhelyi tha se në drejtim të procesit për liberalizimin e vizave, duhet vazhduar përpjekjet për t’i bindur shtetet anëtare që t’u ofrohet liberalizimi qytetarëve të Kosovës. “Vlerësimi ynë mbetet se i keni përmbushur të gjitha kushtet, por nuk mjafton vetëm vlerësimi ynë, duhet t’i bindim shtetet anëtare”, tha ai gjatë adresimit të tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Parlamenti Evropian, po ashtu, vazhdon të mbështesë liberalizimin e vizave. Pengesa e vetme për liberalizim vizash tash qëndron te vendet anëtare të BE-së të cilat, me shumicë të kualifikuar duhet të vendosin në Këshill. Ndryshe, Varhelyi theksoi se Bashkimi Evropian tani në fokus të tij ka mbështetjen afatgjate në rrafshin socio-ekonomik jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon. Komisionari për Fqinjësi dhe Zgjerim të Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, ka zhvilluar edhe një takim me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti. Varhelyi po viziton vendet e Ballkanit Perëndimor për të prezantuar planin e investimeve ekonomike për Ballkanin Perëndimor dhe raportet e reja vjetore mbi përparimin në procesin e integrimit evropian.

SHARE