Vetëm institucionet e forta ndërkombëtare përfaqësojnë garantuesin e stabilitetit global, paqes dhe prosperitetit, tha kreu i diplomacisë malazeze, Srgjan Darmanoviq.
Darmanoviq mori pjesë në takimin e Aleancës për Multilateralizëm, i cili u mbajt online për shkak të pandemisë globale COVID-19.
Takimi, i organizuar nga Ministrat e Jashtëm të Gjermanisë dhe Francës, u përqëndrua në përgjigjet e bashkësisë ndërkombëtare ndaj sfidave globale në fushat e shëndetit, ndryshimit të klimës, hapësirës kibernetike dhe barazisë gjinore, veçanërisht në kontekstin e përgjigjes ndaj pasojave të pandemisë COVID 19.
Duke theksuar se marrëdhëniet ndërkombëtare moderne po kalojnë një nga periudhat më të trazuara në historinë moderne, Darmanoviq vuri në dukje nevojën për një përgjigje të qëndrueshme të bashkësisë ndërkombëtare ndaj sfidave që po shohim, si dhe nevojën për të ruajtur rendin ndërkombëtar. Me këtë rast, ai kujtoi se vetëm institucionet e forta ndërkombëtare janë garantuesi i stabilitetit global, paqes dhe prosperitetit.
Në atë kontekst, siç u njoftua nga Ministria e Punëve të Jashtme, Darmanoviq tha se aktualisht përparësia kryesore është sigurimi i aksesit global në vaksinat për COVID-19, i cili do të jetë i barabartë për të gjithë. Në atë linjë, ai mirëpriti aktivitetet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në lidhje me iniciativën COVAX, së cilës iu bashkua Mali i Zi.
Duke folur për ndryshimin e klimës, kreu i diplomacisë malazeze theksoi se duhet të bëhen përpjekje shtesë për të përmbushur detyrimet nga Marrëveshja e Klimës së Parisit dhe Agjenda 2030. Siguria kibernetike u diskutua gjithashtu në takimin e Aleancës për Multilateralizmin. Në atë kontekst, Ministri Darmanoviq theksoi rëndësinë e arsimit adekuat, si dhe hapësirës kibernetike të hapur dhe të sigurt, e cila në kushtet e një pandemie globale është baza për funksionimin e duhur të të gjitha institucioneve.
Darmanoviq arriti në përfundimin se në kohë sfiduese, e vetmja mundësi para nesh është intensifikimi i bashkëpunimit dhe forcimi i solidaritetit dhe besimit, të cilat janë bazat e multilateralizmit.