NËNSHKRUHET MARRËVESHJA: FORCIMI I BASHKËPUNIMIT ME NATO-n; PAVARËSIA E KOSOVËS E PADISKUTUESHME

Liderët e tri subjekteve politike të koalicionit opozitar, të cilat e kanë fituar shumicën në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 30 gusht, në një konferencë për medie sot kanë prezantuar parimet mbi të cilat do të mbështetet qeveria e ardhshme dhe të cilat nënkuptojnë bashkëpunimin me aleancën e NATO-s, mosvënien në diskutim të njohjes së Kosovës dhe që përjashtojnë mundësinë e ndryshimit të simboleve shtetërore të Malit të Zi. Marrëveshja e cila është nënshkruar nga liderët e koalicionit “Për të ardhmën e Malit të Zi”, “Paqja është kombi ynë” dhe “E zeza mbi të bardhë” e Zdravko Krivokapiqit, Aleksa Beçiqit dhe Dritan Abazoviqit, kanë deklaruar që Qeveria e re e Malit të Zi:

* Në mënyrë të përgjegjshme do të zbatojë të gjitha obligimet ndërkombëtare që i ka marrë mbi vete shteti, do të forcojë bashkëpunimin me NATO-n dhe me përkushtim do të zbatojë të gjitha reformat e nevojshme për anëtarësim të plotë të Malit të Zi në Bashkimin Evropian.

* Do t’i depolitizojë plotësisht institucionet kyçe qeveritare, me qëllim të luftës së pakompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

* Do të respektojë Kushtetutën e Malit të Zi dhe nuk do të nisë nisma që kanë për qëllim ndryshimin e flamurit, stemës dhe himnit të shtetit.

* Nuk do të nis procedurë për tërheqjen e pranimit të pavarësisë së Kosovës;
* Nuk do të hakmerret mbi baza politike apo çfarëdo baze tjetër.

* Do të miratojë dhe rishikojë të gjitha ligjet në përputhje me standardet evropiane, me qëllim të integrimit sa më të shpejtë të Malit të Zi në BE.
* Do t’u mundësojë partive të pakicave pjesëmarrjen në qeveri, pavarësisht se a kanë apo jo status parlamentar.

SHARE