MILLATOVIQ KËRKON NGA KROACIA TRAJTIM TË BARABARTË NË RRUGËN DREJT BE-së

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, kritikoi qëndrimin e Kroacisë për kushtëzimin e rrugës evropiane të Malit të Zi me zgjidhjen e çështjeve dypalëshe.

Ai theksoi se ky qëndrim është në kundërshtim me rezolutën e Parlamentit kroat të vitit 2011, me të cilën Kroacia ishte zotuar se nuk do t’i përdorte çështjet e hapura bilaterale për të penguar integrimin evropian të vendeve fqinje.

Pas Samitit të Procesit Brdo-Brioni në Ohër, Millatoviq tha se Mali i Zi kërkon trajtim të drejtë, të njëjtë me atë që Kroacia kishte gjatë procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ai bëri të ditur se Mali i Zi ka përmbushur edhe një nga tetë kërkesat e Kroacisë, duke theksuar se deri më tani janë zgjidhur tri çështje të hapura.

Duke folur për demarkacionin, Millatoviq propozoi që, nëse nuk arrihet marrëveshje dypalëshe, çështja të dërgohet në arbitrazh ndërkombëtar ose në një gjykatë ndërkombëtare.

Presidenti ngriti gjithashtu pyetjen pse Kroacia nuk i kishte kushtëzuar marrëdhëniet me Malin e Zi me këto çështje gjatë procesit të anëtarësimit të vendit në NATO dhe kur Milo Gjukanoviq ishte në pushtet.

Ai theksoi se Mali i Zi nuk pretendon asnjë pjesë të territorit kroat, por kërkon që mosmarrëveshjet për kufirin tokësor dhe detar të zgjidhen në mënyrë të paanshme.

Millatoviq paralajmëroi se mënyra e zgjidhjes së këtij kontesti është e rëndësishme edhe për besueshmërinë e politikës së zgjerimit të BE-së dhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Ai u shpreh se Mali i Zi dëshiron të ruajë marrëdhënie të mira me Kroacinë dhe se mbetet i përkushtuar për përfundimin e negociatave me BE-në deri në fund të vitit.

SHARE