KOS: SHQIPËRIA MUND TË ANËTARËSOHET NË BE DERI NË VITIN 2030, RAMA: NUK KËRKOJMË DHURATA

Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se Shqipëria mund t’i përfundojë negociatat për anëtarësim në BE vitin e ardhshëm dhe të bëhet anëtare e Unionit deri në vitin 2030, nëse përmbush reformat e kërkuara dhe merr miratimin e vendeve anëtare.

Ajo vlerësoi progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit, duke theksuar se vendi ka përmbushur 80 për qind të reformave të Planit të Rritjes dhe do të përfitojë 185.6 milionë euro, ndërsa me rritjen prej 15 për qind do të marrë fonde shtesë.

Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria është më pranë se kurrë anëtarësimit në BE, por theksoi se procesi varet edhe nga dakordësia e 27 vendeve anëtare.

Ai nënvizoi se qeveria nuk kërkon favore apo përjashtime, por synon të përmbushë të gjitha detyrimet.

“Ne nuk kërkojmë dhurata, duam maksimumin e detyrave”, deklaroi Rama.

Kos theksoi se sundimi i ligjit, reforma në drejtësi dhe zbatimi konkret i reformave mbeten vendimtare për përparimin e Shqipërisë.

Ajo gjithashtu bëri të ditur se viti 2027 mund të jetë vendimtar për përmbylljen e negociatave.

Ndërkohë, sipas saj, Mali i Zi ka përmbushur 94 për qind të reformave dhe pritet të përfitojë 81 milionë euro nga kësti i ardhshëm i Planit të Rritjes.

SHARE