RREZIKU NGA EPIDEMIA E FRUTHIT NË MAL TË ZI, MBULUESHMËRIA ME VAKSINË MMR MBETET E ULËT

Foto: Ilustrim

Mali i Zi përballet me rrezik real nga përhapja e fruthit, për shkak të numrit të madh të fëmijëve të pavaksinuar me vaksinën MMR, paralajmërojnë epidemiologët.

Shqetësimi shtohet edhe nga rastet e reja të regjistruara në vendet e rajonit, përfshirë Serbinë, Kosovën dhe Bullgarinë.

Sipas Institutit të Shëndetit Publik, pavarësisht rritjes së numrit të fëmijëve të vaksinuar gjatë muajve të fundit, mbulueshmëria mbetet shumë larg nivelit prej 95 për qind, i nevojshëm për krijimin e imunitetit kolektiv.

Epidemiologu Rexhgeb Zejnellagiq bëri të ditur se në Serbi këtë vit janë regjistruar 27 raste të fruthit, në Kosovë rreth 300, ndërsa në Bullgari rreth 600 raste.

Ai paralajmëroi se udhëtimet e shpeshta dhe ardhja e turistëve rrisin mundësinë e përhapjes së virusit edhe në Mal të Zi. Megjithatë, është shënuar përparim në vaksinimin e fëmijëve.

Për grupmoshën e lindur në vitin 2024, mbulueshmëria me vaksinën MMR është rritur nga 13,2 në 43 për qind gjatë tre muajve të fundit.

Epidemiologët u bëjnë thirrje prindërve që t’i vaksinojnë fëmijët sa më parë, duke theksuar se edhe dozat e humbura mund të kompensohen.

Doza e parë rekomandohet në moshën 12-muajshe, ndërsa e dyta para fillimit të shkollës fillore.

Ata paralajmërojnë se fruthi mund të shkaktojë komplikime serioze shëndetësore, ndërsa theksojnë se vaksina MMR është e sigurt dhe nuk shkakton autizëm.

SHARE