Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike dhe njëherësh ministër i Zhvillimit Ekonomik Nik Gjeloshaj deklaroi se Mali i Zi është i hapur për investime të huaja që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të reja të punës dhe transferimin e njohurive e teknologjive.
Ai e bëri këtë deklaratë gjatë hapjes së një punëtorie për hartimin e një kuadri ligjor efikas për kontrollin e investimeve të huaja në Mal të Zi, të organizuar nga Programi për Zhvillimin e së Drejtës Tregtare i Departamentit Amerikan të Tregtisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik.
Në fjalën e tij hyrëse, Gjeloshaj theksoi se synimi i Malit të Zi është të vazhdojë të tërheqë investime të huaja, duke ruajtur njëkohësisht një klimë investuese të hapur dhe të parashikueshme.
“Mali i Zi është i hapur për investime të huaja që kontribuojnë në rritjen ekonomike, krijimin e vendeve të reja të punës dhe transferimin e njohurive dhe teknologjive. Përgjegjësia jonë është të ruajmë një mjedis investues të hapur dhe të parashikueshëm, duke siguruar njëkohësisht që institucionet kompetente të mund të vlerësojnë me kohë rreziqet që investime të caktuara mund të paraqesin për sigurinë ose rendin publik”, deklaroi Gjeloshaj.
Punëtoria mblodhi ekspertë nga Shtetet e Bashkuara dhe Kroacia, si dhe përfaqësues të institucioneve malazeze, me qëllim shkëmbimin e përvojave dhe shqyrtimin e kritereve për vlerësimin e rreziqeve që mund të paraqesin investimet e huaja për sigurinë dhe rendin publik.
Gjeloshaj rikujtoi se Qeveria e Malit të Zi ka miratuar në korrik propozimin për krijimin e një mekanizmi efikas për kontrollin e investimeve të huaja.
Ai paralajmëroi gjithashtu formimin e një grupi punues që do të hartojë ligjin përkatës, në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Evropian.










