ULQINI ZBATON SHTATË PROJEKTE TË BE-së ME VLERË 1.5 MILION EURO

Foto: Ministria e Çështjeve Evropiane / Ministarstvo evropskih poslova

Komuna e Ulqinit është duke zbatuar shtatë projekte të financuara nga fondet e Bashkimit Evropian, me vlerë të përgjithshme prej 1.5 milion eurosh, ndërsa pret të sigurojë edhe mjete të tjera evropiane për zhvillimin e infrastrukturës dhe ekonomisë lokale.

Këto u bënë të ditura pas takimit të ministres së Çështjeve Evropiane, Maida Gorçeviq, me kryetarin e Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, gjatë vizitës së saj në këtë qytet.

Gorçeviq theksoi rëndësinë e shfrytëzimit sa më të mirë të fondeve evropiane, duke u shprehur se synimi është që deri në vitin 2028 Ulqini të jetë një komunë më e zhvilluar dhe e përgatitur për mundësitë që sjell anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

Nga ana e tij, Nimanbegu vlerësoi se procesi i integrimit evropian duhet të shfrytëzohet për forcimin e kapaciteteve të komunave dhe sigurimin e investimeve të reja.

Ai kërkoi përshpejtimin e procedurave për planifikimin e portit në Liman, si dhe theksoi rëndësinë e ndërtimit të rrugës Adriatiko-Joniane dhe urës mbi Bunë.

Gjatë vizitës, Gorçeviq dhe Nimanbegu u takuan edhe me përfituese të projektit për zhvillimin e mikro-ndërmarrësisë së grave në zonën ndërkufitare, të realizuar nga Komuna e Ulqinit në bashkëpunim me organizatën joqeveritare MogUL dhe Code Partners nga Shkodra.

Në fokus të takimeve ishte edhe mbrojtja e përhershme e Kripores së Ulqinit, ku u diskutua për restaurimin e ekosistemit, mbrojtjen e biodiversitetit dhe përmirësimin e infrastrukturës ujore.

Për këtë qëllim, parashihet krijimi i ndërmarrjes së përbashkët për menaxhimin e Parkut Natyror të Kripores.

Gjatë vizitës, ministrja dhe kryetari i komunës takuan edhe nxënësit e Shkollës së Mesme të Përzier “Vëllazërim-Bashkim”, me të cilët diskutuan për rëndësinë e anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian.

SHARE