Foto: Ilustrim
Komuna e Tuzit ka ndarë 295 mijë euro për prodhuesit bujqësorë.
“Ky financim paraqet mbështetje të drejtpërdrejtë për prodhuesit vendorë, ekonomitë e tyre bujqësore dhe avancimin e mëtejshëm të prodhimit bujqësor”, thuhet në njoftimin e Komunës.
Me realizimin e kësaj pagese, siç bëhet e ditur, po vazhdon zbatimi i Agrobuxhetit për këtë vit, me vlerë të përgjithshme prej 619 mijë eurosh.
Kjo, sipas komunës së Tuzit, dëshmon përkushtimin që bujqësia të mbetet një nga prioritetet kryesore të zhvillimit lokal.
“Fokusi ynë është i qartë: forcimi i prodhimit vendor, modernizimi i ekonomive bujqësore, përmirësimi i kushteve të punës për prodhuesit dhe rritja e konkurrueshmërisë së produkteve tona bujqësore. Dëshirojmë që çdo prodhues që investon mundin, njohuritë dhe mjetet e tij në punimin e tokës, ta ketë Komunën e Tuzit një partner të besueshëm”, thuhet në njoftim.
Nga Komuna theksojnë se investimi në bujqësi nënkupton investim te prodhuesit, familjet, fshatrat dhe e ardhmja ekonomike e Tuzit.
“Prandaj, do të vazhdojmë të zbatojmë masa konkrete mbështetëse dhe të krijojmë kushte që bujqësia vendore të rritet, të zhvillohet dhe të mbetet një shtyllë e rëndësishme e ekonomisë sonë lokale”, thuhet në njoftim.










