Foto: Reuters
Mali i Zi po i afrohet anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe synon t’i përfundojë të gjitha negociatat deri në fund të vitit 2026, të nënshkruajë Traktatin e Anëtarësimit në vitin 2027 dhe të bëhet anëtarja e 28-të e BE-së në vitin 2028, shkruan mediumi “EU Today”.
Në konferencën ndërqeveritare të mbajtur më 6 nëntor në Bruksel, Mali i Zi dhe BE-ja mbyllën përkohësisht edhe dy kapituj negociues, atë për lëvizjen e lirë të mallrave dhe sigurinë ushqimore.
Me këtë, numri i kapitujve të mbyllur përkohësisht ka arritur në 23 nga gjithsej 33. Megjithatë, përfundimi i negociatave nuk garanton automatikisht anëtarësimin.
Sfidat kryesore mbeten reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe forcimi i institucioneve shtetërore.
Komisioni Evropian kërkon rezultate konkrete dhe ndryshime të qëndrueshme, veçanërisht në ndjekjen penale të rasteve të krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.
Një tjetër pengesë e mundshme është ratifikimi i Traktatit të Anëtarësimit nga të gjitha shtetet anëtare të BE-së. Mosmarrëveshjet dypalëshe ose zhvillimet e brendshme politike në vendet anëtare mund të ndikojnë në afatin e anëtarësimit.
Sipas analizës së “EU Today”, anëtarësimi i Malit të Zi do të ishte zgjerimi i parë i Bashkimit Evropian që nga viti 2013, kur iu bashkua Kroacia, dhe një dëshmi se procesi i zgjerimit mund të sjellë rezultate konkrete për vendet që përmbushin reformat e kërkuara.










