Epidemiologët paralajmërojnë se fenomeni klimatik El Niño, i parashikuar për periudhën 2026-2027, mund të ketë pasoja të rënda për shëndetin publik dhe të shkaktojë qindra mijëra viktima në mbarë botën.
Dr. Colin Carlson, profesor i epidemiologjisë në Universitetin Yale, tha se ky fenomen mund të sjellë vdekshmëri në përmasa të mëdha, duke kërkuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë që ta trajtojë si një emergjencë globale shëndetësore.
Sipas një analize paraprake të cituar nga Carlson, vetëm temperaturat ekstreme mund të shkaktojnë afro gjysmë milioni viktima.
Rrezikut mund t’i shtohen edhe epidemitë dhe sëmundjet infektive që mund të përhapen si pasojë e ndryshimeve klimatike.
El Niño është një fenomen natyror që shkakton ngrohjen e sipërfaqes së Oqeanit Paqësor dhe ndikon në temperaturat dhe modelet e motit në mbarë botën.
Pasojat e tij mund të përfshijnë valë të nxehti, thatësira, stuhi të paparashikueshme dhe zjarre masive, duke rrezikuar edhe prodhimin bujqësor dhe furnizimin me ushqim.
Shqetësimet janë shtuar edhe pas paralajmërimeve të Organizatës Botërore Meteorologjike, sipas së cilës El Niño mund të sjellë më shumë nxehtësi dhe mot ekstrem deri në vitin 2027.









