PARALAJMËROHEN SHTRENJTIMET E BUKËS DHE PRODUKTEVE TË MISHIT

Foto: Shutterstock

Çmimet e produkteve ushqimore në Mal të Zi pritet të rriten edhe më tej.

Pas shtrenjtimit të produkteve të qumështit, Shoqata e Furrtarëve deri në fund të kësaj jave do të vendosë për rritjen e çmimeve të bukës dhe produkteve të brumit.

Hasan Ramoviq nga Shoqata e Furrtarëve tha se sektori po përballet me rritjen e kostove të energjisë dhe mungesën e punëtorëve, ndërsa shumë furra po funksionojnë në kufijtë e qëndrueshmërisë ekonomike.

Ndërkohë, disa kompani të përpunimit të mishit tashmë kanë rritur çmimet.

Megjithatë, përpunuesi Dragan Çavor deklaroi se kompania e tij nuk do të aplikojë shtrenjtim deri në janar, ndërsa rritja e mundshme e çmimeve pritet të ndodhë në fund të janarit ose në fillim të shkurtit.

Sa u përket produkteve të qumështit, jogurti, ajka dhe qumështi i thartë tashmë kanë çmime më të larta në markete. Jogurti prej 1.5 litrash kushton 2.09 euro, që është 40 centë më shtrenjtë.

Sipas Shoqatës së Qumështoreve, rritja e çmimeve vjen si pasojë e kostove më të larta të biznesit dhe përshtatjes me inflacionin e viteve të fundit.

Megjithatë, rritja e çmimeve në rafte është më e madhe se ajo e paralajmëruar nga prodhuesit.

Qumështoret kishin njoftuar rritje prej 8.5 për qind, ndërsa në markete çmimet janë rritur për më shumë se 22 për qind, duke bërë që përfituesit më të mëdhenj të jenë tregtarët.

SHARE