DUKAJ: INTEGRIMI NË BE DUHET TË SJELLË SHËRBIME MË CILËSORE DHE PËRFITIME KONKRETE PËR QYTETARËT

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Ministri i Administratës Publike në Mal të Zi, Marash Dukaj, ka deklaruar se standardet evropiane duhet të përkthehen në shërbime më të shpejta dhe më cilësore për qytetarët, si dhe në përfitime konkrete për komunitetet lokale.

Duke folur në panelin “Nga integrimi evropian drejt shërbimeve më të mira lokale – rezultate konkrete për qytetarët”, Dukaj theksoi se komunat duhet të jenë më efikase në menaxhimin e burimeve dhe të afta për të shfrytëzuar fondet evropiane për zhvillimin e tyre.

Ai bëri të ditur se reforma e vetëqeverisjes lokale është një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Administratës Publike.

Ndër drejtimet kryesore të reformës përmendi forcimin e kapaciteteve të komunave për integrimin evropian, profesionalizimin e administratës, orientimin drejt rezultateve dhe digjitalizimin e shërbimeve.

Dukaj vlerësoi se fondet e Bashkimit Evropian paraqesin një mundësi të rëndësishme për zhvillimin e komunave, por shfrytëzimi i tyre kërkon staf profesional, projekte cilësore dhe institucione të përgjegjshme.

“Qytetari duhet të jetë matësi i suksesit të çdo reforme, ndërsa cilësia e shërbimit që merr është treguesi më i rëndësishëm i suksesit të administratës lokale”, deklaroi Dukaj.

Ai shtoi se standardet evropiane nuk duhet të përmbushen vetëm për shkak të Brukselit, por mbi të gjitha për të garantuar shërbime publike cilësore, të qasshme dhe efikase për qytetarët.

Në fund, ministri Dukaj theksoi se reforma nuk përfundon me miratimin e ligjeve, por fillon me zbatimin e tyre, duke nënvizuar se përfitimet e integrimit evropian duhet të ndihen në çdo komunë dhe nga çdo qytetar.

SHARE