Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Mali i Zi ka marrë nga Monako kryesimin gjashtëmujor të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës. Me këtë rast, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ervin Ibrahimoviq, prezantoi prioritetet e kryesimit malazez në Strasburg.
Ibrahimoviq bëri të ditur se prioritetet kryesore do të jenë demokracia në epokën digjitale, mbrojtja e të drejtave themelore të njeriut, veçanërisht të grave, fëmijëve dhe grupeve të cenueshme, si dhe forcimi i shtetit të së drejtës, pavarësisë së gjyqësorit dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ai e cilësoi marrjen e kryesimit si një moment historik për Malin e Zi, duke theksuar se vendi e merr këtë përgjegjësi në një periudhë sfidash të mëdha për Evropën, për shkak të konflikteve, tensioneve gjeopolitike dhe presioneve ndaj institucioneve demokratike.
Ministri theksoi se Mali i Zi do të vazhdojë mbështetjen e fuqishme për Ukrainën, sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin e saj territorial, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Duke folur për rrugën evropiane të Malit të Zi, Ibrahimoviq kujtoi se vendi është anëtar i NATO-s që nga viti 2017 dhe synon t’i përfundojë negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian deri në fund të vitit 2026, me synimin që deri në vitin 2028 të bëhet anëtar i ri i BE-së.
Ai theksoi se kryesimi do të përqendrohet në tri fusha kryesore: forcimin e demokracisë në epokën digjitale, barazinë dhe mbrojtjen e të drejtave themelore, si dhe sigurinë demokratike përmes forcimit të shtetit të së drejtës.
Në kuadër të këtyre prioriteteve, vëmendje e veçantë do t’i kushtohet dhunës me bazë gjinore, femicidit, diskriminimit dhe mbrojtjes së fëmijëve në mjedisin digjital. Ibrahimoviq tha se standardet dhe mekanizmat e Këshillit të Evropës kanë qenë të rëndësishëm për reformat demokratike të Malit të Zi dhe forcimin e të drejtave të njeriut.
Kryesimi gjashtëmujor synon gjithashtu të nxisë dialogun, solidaritetin dhe bashkëpunimin mes vendeve anëtare, me qëllim që demokracia dhe të drejtat e njeriut të mbrohen dhe të zbatohen në praktikë.










