NISIN BISEDIMET TREPALËSHE UKRAINË–RUSI–SHBA NË ABU DHABI, MOSMARRËVESHJE PËR TERRITORET

Në Abu Dhabi kanë nisur bisedimet trepalëshe mes Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me synimin për t’i dhënë fund luftës që Rusia nisi kundër Ukrainës më shumë se katër vjet më parë.

Pavarësisht shpresave për përparim drejt një marrëveshjeje paqeje, zyrtarët amerikanë bëjnë të ditur se të dyja palët kanë treguar pak gatishmëri për kompromis lidhur me kontrollin e rajoneve lindore të Ukrainës pas përfundimit të konfliktit.

Në delegacionin amerikan janë Jared Kushner, dhëndri i presidentit Donald Trump, dhe i dërguari i posaçëm për paqen, Steve Witkoff. Kushner deklaroi se bisedimet do të përqendrohen edhe në shqetësimet e sigurisë së të dyja vendeve pas përfundimit të luftës.

Para takimit, përfaqësuesit amerikanë zhvilluan bisedime me zyrtarë ukrainas, evropianë dhe të NATO-s.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, theksoi se Franca, Britania e Madhe dhe Gjermania do ta ndjekin nga afër procesin negociues.

Zyrtarët evropianë shprehin shqetësimin se Rusia dhe SHBA-ja mund të arrijnë një marrëveshje për sigurinë e ardhshme pa përfshirjen e vendeve evropiane.

Një nga çështjet kryesore të mosmarrëveshjes mbetet rajoni i Donetskut, në lindje të Ukrainës, pjesa më e madhe e të cilit është nën kontrollin rus.

Moska kërkon që Ukraina të tërhiqet edhe nga territoret e Donetskut që ende kontrollon, ndërsa Kievi kërkon ngrirjen e konfliktit përgjatë vijës aktuale të frontit, me qëllim ruajtjen e kontrollit mbi këto territore, të cilat i konsideron thelbësore për sigurinë e ardhshme të vendit.

SHARE