AKSIDENT MASIV NË BULLGARI, TË PAKTËN 11 VIKTIMA

Njëmbëdhjetë persona humbën jetën dhe 48 të tjerë u plagosën të martën në një aksident masiv trafiku në Bullgarinë juglindore, ku u përfshinë rreth 50 automjete, përfshirë vetura dhe kamionë.

Aksidenti ndodhi në kushte të mjegullës së dendur, pranë qytetit të Jambolit, në autostradën që lidh kryeqytetin Sofje me qytetin bregdetar të Burgasit, në Detin e Zi.

Sipas guvernatorit rajonal të Jambolit, Georgi Çalakov, në aksident u përfshinë dhjetëra automjete.

Pamjet nga vendngjarja shfaqën vetura dhe kamionë të përmbysur, të shkatërruar dhe të përplasur mes tyre, si dhe disa automjete të përfshira nga zjarri. Bilancin tragjik e konfirmoi kryeministri Rumen Radev, i cili anuloi aktivitetet e planifikuara zyrtare për t’u marrë me situatën.

Të plagosurit u transportuan në spitalet e qyteteve përreth, ndërsa qeveria dërgoi edhe dy mjete ajrore të pajisura me barela dhe ekipe mjekësore për të ndihmuar në operacionin e shpëtimit.

Sipas të dhënave të Komisionit Evropian, Bullgaria në vitin 2025 regjistroi 71 viktima nga aksidentet rrugore për çdo një milion banorë, duke u renditur ndër vendet me sigurinë më të dobët rrugore në Bashkimin Evropian.

Ndër shkaqet kryesore të numrit të lartë të aksidenteve me pasoja fatale përmenden drejtimi i pakujdesshëm i automjeteve, gjendja e dobët e infrastrukturës rrugore dhe joefikasiteti i sistemit të drejtësisë.

SHARE