MALI I ZI KUFIZON MARZHET TREGTARE PËR PRODUKTET BAZË NGA 1 JANARI

Foto: Ministria e Zhvillimit Ekonomik / Ministarstvo ekonomskog razvoja

Ministri i Zhvillimit Ekonomik i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, ka njoftuar se nga 1 janari do të kufizohen marzhet tregtare për produktet bazë ushqimore dhe artikujt e domosdoshëm për familjet, me qëllim parandalimin e rritjes së pajustifikuar të çmimeve pas zbatimit të Euro modelit ekonomik.

Ai theksoi se nuk do të lejojë që rritja e pagave minimale të neutralizohet nga shtrenjtimi i produkteve, duke paralajmëruar se lista e artikujve dhe marzhet e lejuara do të bëhen publike me kohë.

Sipas tij, modeli i ri parashikon rritjen e pagës minimale nga 600 në 1.000 euro për punonjësit me arsim fillor dhe të mesëm, ndërsa për të diplomuarit nga 800 në 1.400 euro.

Vendimi vjen pas paralajmërimeve të një pjese të bizneseve se rritja e kostove të punës mund të sjellë shtrenjtim të produkteve dhe shkurtim të vendeve të punës.

Të dhënat e Monstat-it tregojnë se çmimet e konsumit në shtator ishin 5,2 për qind më të larta se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, ndërsa rritja mesatare për periudhën janar-shtator ishte 3,7 për qind.

Gjeloshaj paralajmëroi se autoritetet do të monitorojnë çmimet dhe kostot reale të bizneseve, duke theksuar se rritja e pagave duhet të përmirësojë fuqinë blerëse të qytetarëve dhe jo të shërbejë si justifikim për shtrenjtimin e produkteve.

„Pagat më të larta duhet të nënkuptojnë një jetë më të mirë për qytetarët, e jo fitime më të mëdha në kurriz të tyre“, deklaroi ai.

SHARE