Foto: KE
Komisioni Evropian ka përshëndetur votimet e fundit në Parlamentin e Malit të Zi për ndryshimet kushtetuese, duke i bërë thirrje vendit të përshpejtojë reformat e mbetura, me synimin për të përfunduar negociatat e anëtarësimit në BE deri në fund të këtij viti.
Zëdhënësi i Komisionit vlerësoi votimin e dytë për heqjen e imunitetit të anëtarëve të Qeverisë për veprat penale të lidhura me korrupsionin, si dhe votimin e parë për verifikimin e integritetit.
Brukseli thekson se përparimi drejt anëtarësimit kërkon jo vetëm përafrimin e legjislacionit me atë të BE-së, por edhe institucione plotësisht funksionale, përgjegjësi politike dhe zbatim konkret të reformave.
Komisioni u bëri thirrje pozitës dhe opozitës që të tregojnë vullnet politik dhe të arrijnë kompromiset e nevojshme në interes të vendit.
Sipas tij, përparimi i Malit të Zi drejt BE-së do të varet nga rezultatet konkrete, pjekuria politike dhe angazhimi i përbashkët për vendimet e nevojshme në rrugën evropiane.









