PROTESTAT STUDENTORE NË SHQIPËRI, PEDAGOGËT BOJKOTOJNË MËSIMIN

Protestat studentore në Shqipëri kanë hyrë në ditën e nëntë, ndërsa në mbështetje të studentëve janë bashkuar edhe pedagogët e universiteteve, të cilët kanë nisur bojkotimin e mësimit deri në një njoftim të dytë.

Para Kryeministrisë në Tiranë, protestuesit kanë përmbysur karriget e vendosura nga kryeministri Edi Rama si shenjë gatishmërie për dialog, duke këmbëngulur në kërkesën për dorëheqjen e tij dhe duke refuzuar ftesën për bisedime.

Veprimi ka tensionuar situatën, ndërsa në vendngjarje ka ndërhyrë policia.

Kreu i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë, Sandër Kovaçi, ka konfirmuar se bojkoti nisi të mërkurën, në shenjë reagimi ndaj situatës së krijuar dhe pretendimeve për dhunë ndaj protestuesve.

Ndërkohë, Rama ka njoftuar një paketë masash ekonomike për të rinjtë, përfshirë subvencionimin e 50 për qind të qirasë për studentët që plotësojnë kriteret, kredi me interes zero për çiftet e reja dhe kredi me interes 3 për qind për sipërmarrësit e rinj.

Njoftimi vjen në një kohë kur studentët vazhdojnë protestat, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit dhe plotësimin e kërkesave të tyre.

SHARE