Bashkimi Evropian po heton dyshimet se Rusia dhe faktorë të tjerë të jashtëm mund të kenë shfrytëzuar trazirat e fundit në Francë për të nxitur destabilizimin dhe përçarjen shoqërore.
Sipas prestigjiozes Financial Times, institucionet evropiane po shqyrtojnë fushatat e dezinformimit dhe ndërhyrjet në internet nga rrjete të dyshuara pro-ruse.
Sipas zyrtarëve evropianë të sigurisë, llogari të lidhura me Kremlinin, Iranin dhe Algjerinë kanë shpërndarë në masë video me përmbajtje të rreme ose nxitëse, duke amplifikuar pamjet e dhunës dhe tensioneve në rrugët e Francës.
Megjithëse protestat nisën nga pakënaqësitë e brendshme, këto rrjete dyshohet se i kanë shfrytëzuar ngjarjet për të thelluar përçarjet dhe për të dëmtuar imazhin e demokracive perëndimore.
Agjencia franceze përgjegjëse për luftën kundër ndërhyrjeve digjitale ka sqaruar se nuk ka prova që shërbimet e huaja të kenë organizuar apo financuar protestat në terren, por se kriza është shfrytëzuar për qëllime propagandistike përmes rrjeteve sociale.
Ndërkohë, udhëheqësit evropianë po kërkojnë përgjegjësi më të madhe nga platformat digjitale dhe masa më të forta kundër fushatave të koordinuara të manipulimit online.








