TRUMP: EVROPA PO LODHET DUKE FINANCUAR UKRAINËN, ZELENSKY T’I JAPË FUND LUFTËS

Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se Bashkimi Evropian po lodhet nga shpenzimet për Ukrainën, ndërsa i bëri thirrje presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, të arrijë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.

Duke folur në Zyrën Ovale, Trump theksoi se si SHBA-ja, ashtu edhe vendet evropiane kanë shpenzuar shuma të mëdha për mbështetjen e Ukrainës.

Ai vlerësoi se Rusia dëshiron që konflikti të përfundojë, por theksoi se armiqësia mes presidentit rus, Vladimir Putin, dhe Zelenskyt përbën një nga pengesat kryesore për arritjen e një marrëveshjeje.

Trump shtoi se nuk është e domosdoshme që dy liderët të takohen fizikisht për të nënshkruar një marrëveshje paqeje, duke shprehur gatishmërinë për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje.

Ndërkohë, presidenti amerikan bëri të ditur se ka zhvilluar bisedime me Putinin edhe për lirimin e shtetasit amerikan Stephen Hubbard, i cili u dënua nga një gjykatë ruse në vitin 2024 me afro shtatë vjet burg për mercenarizëm në Ukrainë.

Trump tha se i ka kërkuar presidentit rus lirimin e tij dhe se shpreson që amerikani të kthehet në vendlindje.

SHARE