Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Mal të Zi, Johan Sattler, vlerësoi se deputetët e Kuvendit të Malit të Zi treguan përgjegjësi dhe gatishmëri për kompromis duke votuar pro ndryshimeve kushtetuese që lidhen me verifikimin e integritetit të anëtarëve të Qeverisë.
Deputetët e Kuvendit miratuan mbrëmjen e kaluar propozimin e Qeverisë për ndryshimin e Kushtetutës, me të cilin parashihet verifikimi paraprak i detyrueshëm i integritetit të kandidatëve për kryeministër dhe anëtarë të ekzekutivit.
“Lajme të shkëlqyera mbrëmë nga Kuvendi i Malit të Zi! Deputetët treguan përgjegjësi dhe gatishmëri për kompromis duke votuar për ndryshimet kushtetuese që lidhen me verifikimin e integritetit. Ky është një nga detyrimet e fundit në negociatat për anëtarësimin në BE”, shkroi Sattler në rrjetin social X.









