MILLATOVIQ: VULLNETI POLITIK MATET ME VENDIME, JO ME DEKLARATA

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka deklaruar se përparësia absolute e vendit është përfundimi i procesit të integrimit evropian dhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian deri në vitin 2028, me synimin që Mali i Zi të bëhet anëtari i 28-të i Unionit.

Në konferencën “Mali i Zi në BE: Mësime, sfida dhe drejtime politike”, ai theksoi se suksesi i këtij procesi varet nga vullneti politik për të zbatuar reforma thelbësore, uniteti rreth objektivave strategjike, mbështetja e qytetarëve dhe roli i shoqërisë civile.

Sipas Millatoviqit, përparimi drejt BE-së nuk duhet të matet vetëm me miratimin e ligjeve dhe mbylljen e kapitujve negociues, por mbi të gjitha me rezultatet konkrete të reformave dhe funksionimin e pavarur, efikas e transparent të institucioneve.

“Vullneti politik nuk duhet të matet me shpeshtësinë e deklaratave proevropiane, por me gatishmërinë për të marrë vendime që ndryshojnë thelbësisht mënyrën se si funksionon sistemi”, deklaroi ai.

Presidenti nënvizoi gjithashtu se integrimi evropian nuk përfundon me miratimin e rregullave dhe ligjeve, por kërkon përvetësimin dhe zbatimin e vlerave demokratike evropiane në punën e përditshme të institucioneve.

Ai shtoi se përfundimi me sukses i rrugëtimit evropian të Malit të Zi do të ishte një arritje e përbashkët e vendit, Bashkimit Evropian dhe gjithë Ballkanit Perëndimor.

SHARE