KUVENDI I MALIT TË ZI MË I HAPURI NË RAJON, PLOTËSON 82,26% TË TREGUESVE

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupstina Crne Gore

Kuvendi i Malit të Zi është renditur i pari në rajon për transparencë dhe hapje institucionale për periudhën 2025/2026, duke përmbushur 82,26% të 109 treguesve të vlerësuar.

Sipas Indeksit Rajonal të Hapjes, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut renditet i dyti me 76,04%, ndërsa Kuvendi i Serbisë ka arritur 59,42% dhe Parlamenti i Bosnjë-Hercegovinës 58,49%.

Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Malit të Zi, Boban Stanishiq, vlerësoi se ky rezultat është veçanërisht i rëndësishëm në një periudhë të ngarkuar me aktivitete legjislative dhe harmonizimin e ligjeve me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Ai theksoi se institucioni do të vazhdojë të përmirësojë transparencën, qasjen e qytetarëve në informacionet parlamentare dhe mundësitë për pjesëmarrje aktive në proceset demokratike, me fokus të veçantë te të rinjtë.

Indeksi vlerëson transparencën, qasshmërinë, integritetin dhe efikasitetin e institucioneve ligjvënëse, ndërsa hulumtimi realizohet nga Qendra për Tranzicion Demokratik, në kuadër të rrjetit rajonal ACTION SEE.

SHARE