PROTESTAT NË SHQIPËRI NË DITËN E KATËRT, QINDRA TË ARRESTUAR DHE TË HETUAR

Protestat kundër qeverisë së Edi Ramës kanë hyrë të premten në ditën e katërt, ndërsa tensionet politike në Shqipëri vijojnë të rriten. Nxënës, studentë dhe qytetarë kanë marshuar sërish në rrugët e Tiranës, duke bllokuar qarkullimin dhe duke iu drejtuar institucioneve shtetërore.

Lëvizja, e cila nisi me kërkesa për përmirësimin e kushteve në arsim, është shndërruar në një protestë më të gjerë kundër qeverisë, me thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe akuza për korrupsion.

Sipas raportimeve të mediave shqiptare, gjatë protestave të ditëve të fundit janë regjistruar përplasje të dhunshme, dëmtime të ndërtesave shtetërore, bizneseve dhe pronës publike, si dhe sulme ndaj policisë.

Kreu i Departamentit të Sigurisë Publike, Dhimitraq Ziu, bëri të ditur se vetëm në Tiranë janë arrestuar 127 persona dhe 244 të tjerë po procedohen penalisht.

Në shkallë vendi, bilanci i publikuar nga policia arrin në 152 të arrestuar dhe 324 persona nën hetim.

Gjithashtu, 120 punonjës policie janë dëmtuar gjatë incidenteve në disa qytete, ndërsa një efektiv i plagosur rëndë në Shkodër po merr trajtim në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Pavarësisht përshkallëzimit të situatës gjatë ditëve të mëparshme, protestuesit kanë vijuar marshimin edhe sot, ndërsa policia u ka bërë thirrje qytetarëve të distancohen nga personat e maskuar dhe aktet e dhunës.

SHARE